Tip:
Highlight text to annotate it
X
Translator: Albana Telhai Reviewer: Helena Bedalli
Ok, dua të shoh disa duar lart:
sa prej jush e kanë hequr dikë nga Facebook-u
sepse ka thënë diçka fyese rreth politikës ose fesë,
kujdesit të fëmijëve, ushqimit?
(Të qeshura)
Dhe sa nga ju njihni të paktën një person që e shmangni,
sepse thjesht nuk doni t’i flisni?
(Të qeshura)
E kini parasysh, për të patur një bisedë të sjellshme,
duhej vetëm të ndiqnim këshillën e Henry Higgins te "My Fair Lady"
Qëndro te moti dhe shëndeti.
Por këto kohë, me ndryshimet klimatike dhe anti-vaksinimin, këto tema –
(Të qeshura)
nuk janë më të sigurta.
Pra, bota në të cilën jetojmë,
kjo botë në të cilën çdo bisedë
ka potencialin të shkaktojë debat,
ku politikanët tanë nuk flasin me njëri-tjetrin
dhe ku edhe çështja më e parëndësishme
ka dikë që lufton me pasion pro dhe kundër, nuk është normale.
Pew Research kreu një studim me 10.000 adultë amerikanë
dhe zbuluan se në këtë kohë, jemi më të polarizuar,
jemi më të ndarë,
se kurrë më parë në histori.
Ka më pak gjasa të biem kompromis
ҫka thotë se nuk po e dëgjojmë njëri-tjetrin.
Dhe e marrim vendimin se ku të jetojmë,
me kë të martohemi, madje dhe se cilët do të kemi miq,
bazuar në atë që ne tashmë besojmë.
Përsëri, kjo tregon që ne nuk e dëgjojmë njëri-tjetrin.
Biseda kërkon ekuilibër mes të folurit dhe të dëgjuarit,
dhe diku përgjatë rrugës, e kemi humbur atë ekuilibër.
Një pjesë e saj ka shkak teknologjinë.
Smartphone-at që të gjithë keni në duar,
ose aq afër sa mund t’i kapni menjëherë.
Sipas Pew Research,
rreth 1/3 e adoleshentëve Amerikanë dërgojnë më tepër se 100 tekste në ditë.
Shumica e tyre, thuajse të gjithë, ka më shumë të ngjarë tu dërgojnë mesazhe miqve
se sa të bisedojnë ballë për ballë.
Është një pjesë e bukur tek The Atlantic.
Shkruar nga një mësues gjimnazi që quhet Paul Barnwell.
Ai u dha fëmijëve një projekt komunikimi.
Donte t'i mësonte si të flisnin për një temë të caktuar pa përdorur shënime.
Dhe ai tha këtë: "Kam kuptuar se..."
(Të qeshura)
"Kam kuptuar se kompetenca në të biseduar
mund të jetë aftësia më e anashkaluar me të cilën dështojmë në dhënien mësim.
Fëmijët kalojnë orë çdo ditë në ekrane të përfshirë në ide dhe me njëri-tjetrin,
por ata rrallë kanë mundësi
të skalitin aftësitë e tyre komunikuese ndërpersonale.
Mund të tingëllojë si pyetje qesharake, por duhet ta pyesim veten:
A ka ndonjë aftësi të shekullit të 21-të
më të rëndësishme se ajo e të mbajturit të një bisede koherente dhe konfidente?"
Tani, unë e fitoj jetesën duke folur me njerëz:
fitues çmimi Nobel, shoferë kamionash,
miliarderë, mësues kopshti,
kryetarë shtetesh, hidraulikë.
Flas me njerëz që më pëlqejnë. Flas me njerëz që s’më pëlqejnë.
Flas me disa njerëz me të cilët nuk pajtohem thellë në nivel personal.
Por përsëri bëj një bisedë të shkëlqyer me ta.
Pra do të doja t'i shpenzoja 10 minutat e ardhshme duke ju mësuar se si të flisni
dhe si të dëgjoni.
Mjaft prej jush kanë dëgjuar plot këshilla, për këtë
gjëra të tilla si shih personin në sy,
mendo tema interesante për të diskutuar në avancë,
shiko, tund kokën dhe buzëqesh për të treguar se je duke i kushtuar vëmendje,
përsërit atë që sapo dëgjove ose përmblidhe.
Dua që t’i harroni gjithë këto.
Janë broҫkulla.
(Të qeshura)
Nuk ka arsye të mësosh si të tregosh se po kushton vëmendje
nëse në fakt je duke kushtuar vëmendje.
(Të qeshura)
(Duartrokitje)
Unë në fakt përdor fiks të njëjtat aftësitësi si intervistuese profesioniste
që përdor dhe në jetën normale.
Prandaj, unë do t'ju mësoj si t'i intervistoni njerëzit,
dhe kjo do tju ndihmojë të mësoni të bëheni bashkëbisedues më të mirë.
Mësoni që të bëni një bisedë
pa humbur kohën tuaj, pa u mërzitur,
dhe, Zot të lutem, pa ofenduar askënd.
Ne të gjithë kemi patur biseda të shkëlqyera.
I kemi kryer më parë. E dimë se ç'do të thotë.
Lloji i bisedës ku ikën duke u ndjerë i përfshirë dhe i frymëzuar,
ose ku ndjen sikur ke krijuar një lidhje të vërtetë,
apo që je kuptuar në mënyrë perfekte.
Nuk ka asnjë arsye
pse shumica e ndërveprimeve tuaja mos të jetë kështu.
Unë kam 10 rregulla bazë. Do tju prezantoj me secilin,
por sinqerisht, edhe nëse ju zgjidhni vetëm një prej tyre dhe e zotëroni,
ju direkt do të shijoni biseda më të mira.
Numri një: ndërsa bisedon mos bëj gjëra të tjera.
Dhe s'dua vetëm të them lini mënjanë celularin
tabletën, çelësat e makinës apo çfarëdo që kini nëpër duar.
Dua të them, ji i pranishëm.
Ji aty në atë moment.
Mos mendo për debatin që ke patur me shefin.
Mos mendo se çfarë do të hash për darkë.
Nëse do që të dalësh nga biseda,
dil nga biseda,
por mos qëndro gjysëm brenda e gjysëm jashtë.
Numri dy: Mos dogmatizo.
Nëse doni të deklaroni mendimin tuaj
pa asnjë mundësi për përgjigje, argument, apo përplasje ose për rritje,
shkruani një blog.
(Të qeshura)
Tani, ka një arsye të fortë se pse nuk lejoj kritikë në emisionin tim:
Sepse ata janë vërtet të mërzitshëm.
Nëse janë konservatorë, do urrejnë Obamën, ndihmat ushqimore dhe abortin.
Nëse janë liberalë, do të urrejnë
bankat e mëdha, korporata nafte e *** Cheney.
Krejt të parashikueshëm.
Dhe ju nuk duhet të jeni kështu.
Duhet të hyni në çdo bisedë duke supozuar se keni diçka për të mësuar.
Terapisti i famshëm M. Scott Peck tha
se të dëgjuarit e vërtetë kërkon ta lesh veten jashtë.
Dhe nganjëherë kjo nënkupton lënien mënjanë të opinionit personal.
Ai tha se duke ndjerë këtë pranim,
folësi do të bëhet gjithmonë e më pak i prekshëm
dhe ka shumë më tepër gjasa t'i hapë skutat e brendshme
të mendjes së tij apo të saj, tek dëgjuesi.
Përsëri, supozoni se keni diçka për të mësuar.
Bill Nye: "Çdokush që do të takoni di diçka që ju nuk e dini."
Unë e shpreh në këtë mënyrë:
Gjithsecili është ekspert në diçka.
Numri tre: Përdorni pyetje të hapura.
Në këtë rast, merrni shkas nga gazetarët.
Filloni pyetjet me kush, çfarë, kur, ku, pse apo si.
Nëse shtron një pyetje të komplikuar, do të përjashtoni përgjigje të thjeshta.
Nëse të pyes, "Ishe i tmerruar?"
ti do t’i përgjigjesh fjalës më të fuqishme në atë fjali,
që është "tmerruar", dhe përgjigja është "Po, isha" ose "Jo, s'isha."
"Ishe i zemëruar?" "Po, shumë i zemëruar."
Leri ata ta përshkruajnë. Janë ata që e dinë.
Provoni t’i pyesni për gjëra të tilla si: "Si ishte?"
"Si të ka bërë të ndjehesh?"
Sepse vetëm atëherë ata ndalojnë për një moment dhe reflektojnë,
dhe do të merrni një përgjigje shumë më tepër interesante.
Numri katër: Ec me rrymën.
Kjo do të thotë që mendimet që do të të vijnë ndër mend
dhe ti duhet t'i lesh të ikin.
Kemi dëgjuar shpesh intervista,
ku i ftuari është duke folur për disa minuta
dhe pastaj pritësi hidhet dhe bën një pyetje
që duket sikur del nga hiҫi, ose që e ka marrë një përgjigje.
Që tregon se pritësi ka pushuar së dëgjuari dy minuta më parë,
sepse ka qenë duke menduar për këtë pyetjen shumë të zgjuar,
dhe ishte i detyruar dhe i vendosur ta thoshte.
Dhe ne bëjmë ekzaktësisht të njëjtën gjë.
Jemi ulur duke biseduar me dikë,
dhe në moment na kujtohet hera kur takuam Hugh Jackman në një kafene.
(Të qeshura)
Dhe pushojmë së dëgjuari.
Tregime dhe ide do tju vijnë ndër mend.
Duhet t’i lini ato të vijnë dhe të ikin.
Numri pesë: Nëse nuk e dini, thoni që nuk e dini.
Tani, njerëzit nëpër radio, sidomos te NPR,
janë më të vetëdijshëm se janë duke u regjistruar,
dhe kështu që janë më të kujdesshëm për ҫka pretendojnë se janë ekspert
dhe ҫ'pretendojnë se e njohin me siguri.
Bëjni këtë. Veproni bazuar në kujdes.
Fjalimi nuk duhet të jetë i pavlerë.
Numri i gjashtë: Mos barazoni përvojën tuaj me të tyren.
Nëse ata flasin për humbjen e një anëtari të familjes,
mos filloni të flisni për kur ju humbët një anëtar familje.
Nëse flasin në lidhje me problemet që kanë në punë,
mos u tregoni se sa e urreni punën tuaj.
S'është e njëjta. Kurrë s'është e njëjta.
Të gjitha përvojat janë individuale.
Dhe, më e rëndësishmja, kjo nuk është për ju.
Nuk ka nevojë ta merrni atë moment dhe të tregoni se sa të mahnitëshm jeni
apo se sa keni vuajtur.
Dikush e pyeti Stephen Hawking se sa e kishte IQ, dhe ai tha:
"S'e kam idenë. Njerëzit që mburren me IQ e tyre janë humbës"
(Të qeshura)
Bisedat nuk janë mundësi promocioni.
Numri i shtatë:
Mundësisht mos përsërit veten.
Është mospërfillëse, dhe vërtet e mërzitshme,
dhe ne priremi ta bëjmë shpesh.
Sidomos në bisedat e punës ose në bisedat me fëmijët,
ne duam të dalim diku,
kështu që vazhdojmë ta rifrazojmë atë pa pushim.
Mos e bëni këtë.
Numri i tetë: Qëndroni larg barërave të këqija.
Sinqerisht, njerëzit s’e ҫajnë kokën
për vitet, emrat,
datat, gjitha ato detaje
që ju përpiqeni të nxirrni nga mendja juaj.
Nuk iu intereson. Ata interesohen për ju.
Interesohen për atë që jeni,
për ato çfarë kini të përbashkëta.
Pra harrojini detajet. Lërini jashtë.
Numri nëntë:
Kjo nuk është e fundit, por është më e rëndësishmja.
Dëgjoni.
Nuk mund t'ju them se sa shumë njerëz të rëndësishme kanë thënë
se të dëgjuarit është ndoshta, numri një i aftësive më të rëndësishme
që mund të zhvillohet.
Buda tha, dhe po e perifrazoj:
"Nëse goja jote është e hapur, nuk je duke mësuar."
Dhe Calvin Coolidge tha: "Askush nuk është hequr nga puna se ka dëgjuar."
(Të qeshura)
Pse nuk dëgjojmë njëri-tjetrin?
Numri një, ne preferojmë të flasim.
Kur jam duke folur, kam kontrollin.
Nuk më duhet të dëgjoj gjëra që s’jam i interesuar.
Jam në qendër të vëmendjes.
Mund të forcoj identitetin tim.
Por ka dhe një arsye tjetër:
Ne shpërqëndrohemi.
Personi mesatar flet rreth 225 fjalë për minutë,
por ne mund të dëgjojmë deri në 500 fjalë për minutë.
Pra, mendjet tona plotësojnë këto 275 fjalë të tjera.
Dhe, e di, që duhet përpjekje dhe energji
për t’i kushtuar vërtet vëmendje dikujt,
por nëse s'mund ta bëni këtë, nuk po zhvilloni një bisedë.
Jeni vetëm dy njerëz që nxjerrin fjali që mezi lidhen
në të njëjtin vend.
(Të qeshura)
Duhet të dëgjoni njëri-tjetrin.
Stephen Covey e ka thënë shumë bukur.
Ai tha, "Shumica prej nesh nuk dëgjojnë me synimin të kuptojnë.
Ne dëgjojmë me synimin të përgjigjemi."
Edhe një rregull, numri 10, dhe është ky: Jini të përmbledhur.
[Biseda e mirë është si minifundi; e shkurtër aq sa të zgjojë interes,
dhe e gjatë aq sa të mbulojë subjektin. -Motra ime]
(Të qeshura)
(Duartrokitje)
E gjithë kjo bazohet në të njëjtin koncept bazë, që është:
Interesohu për njerëzit e tjerë.
E dini, jam rritur me një gjysh shumë të famshëm,
dhe ishte si lloj rituali në shtëpinë time.
Njerëzit vinin për të biseduar me gjyshërit e mi,
dhe pasi ata largoheshin, nëna ime vinte,
dhe na thoshte: "E dini se kush ishte?
Ajo ka qënë konkurente e Miss America.
Ai ish Kryebashkiaku i Sacramento.
Ajo ka fituar çmimin Pulitzer. Ai është balerin i baletit Rus."
Dhe unë pothuaj jam rritur me supozimin se
gjithësecili ka një gjë të mrekullueshme, të fshehur.
Dhe sinqerisht, mendoj se kjo më bën një pritëse më të mirë.
E mbaj gojën mbyllur sa më shpesh të mundem,
e mbaj mendjen të hapur,
dhe jam gjithmonë e gatshme të mahnitem,
dhe nuk zhgënjehem kurrë.
Bëni të njëjtën gjë.
Dilni jashtë, bisedoni me njerëzit,
dëgjojini njerëzit,
dhe, më e rëndësishmja, përgatituni që të mahniteni.
Faleminderit.
(Duartrokitje)