Tip:
Highlight text to annotate it
X
Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës!
Krishti lindi për ne.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore e paqe mbi tokë njerëzve, që Ai i do.
Uroj që të gjithë ta dëgjojnë lajmin e madh të Betlehemit, të cilin Kisha Katolike e shpall sot në të gjithë kontinentet,
përtej kufijve kombëtarë, gjuhëve, kulturave.
I Biri i Marisë Virgjër lindi për të gjithë,
është Shëlbuesi i të gjithëve.
Kështu e kujton një antifonë e lashtë liturgjike:
O Emanuel, mbreti ynë e ligjvënësi ynë,
shpresë e shëlbim për popujt:
eja të na shpëtosh, O Zot, Hyji ynë!
Veni ad salvandum nos!
Eja, na shpëto!
Kjo është britma e njeriut të të gjitha kohëve, që e ndjen se nuk mund t’i kapërcejë i vetëm vështirësitë e rreziqet.
Ka nevojë për një dorë më të madhe, më e fortë,
që t’ia shtrëngojë dorën e brishtë; për një dorë, që i shtrihet nga lartësitë qiellore.
Të dashur vëllezër e motra, kjo dorë është Jezusi, që Virgjëra Mari e lindi në Betlehem.
Ai është dora, që Zoti i shtrin njerëzimit,
për ta nxjerrë nga balta e kënetës së mëkatit e për ta ngritur përsëri në këmbë mbi shkëmb,
mbi shkëmbin e patundur të së vërtetës së Tij e të dashurisë së Tij (cfr Ps. 40,3).
Po, këtë kuptim ka emri i kësaj Foshnjeje që, sipas dëshirës së vetë Zotit, ia ngjitën Maria e Jozefi;
quhet Jezus, që do të thotë “Shëlbues” (cfr Mt 1,21; Lk 1,31).
Ai u dërgua nga Hyji Atë, për të na shpëtuar nga e keqja më e madhe,
e rrënjosur në zemrën e njeriut e në histori: nga ajo e keqe, që është ndarja prej Zotit,
nga kryelartësia fodulle për të mos u varur nga askush, për të konkurruar me vetë Hyjin, për t’i zënë vendin,
për të vetëvendosur ç’është e mirë e ç’është e keqe,
për të qenë zot i jetës e i vdekjes (Cfr Gen 3,1-7).
Kjo është e keqja më e madhe,
mëkati më i madh, nga i cili ne, njerëzit, nuk mund të shpëtojmë, në se nuk e lëshojmë plotësisht veten në dorë të Zotit,
në se nuk i drejtomë Atij britmën: “Veni ad salvandum nos!” – “Eja, na shpëto!”.
Vetë fakti i lartimit të kësaj lutjeje kah qielli,
na krijon kushtet e duhura,
na bën ta njohim vetveten:
ne jemi ata, që kemi klithë me ngashërim Zotit e që ai i shpëtoi (cfr Est [greqisht] 10,3f).
Zoti është Shëlbuesi,
ne, të rrezikuarit.
Ai është mjeku, ne, të sëmurët.
Pranimi i kësaj së vërtete, është hapi i parë drejt shëlbimit,
drejt daljes nga shtegu i verbër, ku na shtyu fodulleku ynë.
Në se dëshirojmë të dalim nga rruga pa krye, e vetmja mënyrë është t’i lartojmë sytë kah qielli, t’i shtrijmë duart e të kërkojmë ndihmë,
me kusht që dikush të mund të na dëgjojë, të mund të na vijë në ndihmë.
Jezu Krishti është prova, që tregon se Hyji e ka dëgjuar britmën tonë.
E jo vetëm!
Hyji ka për ne një dashuri aq të madhe, sa të mos mund të mbyllet brenda Vetvetes,
sa të dalë nga Vetja e të vijë tek ne, duke marrë deri në fund të fundit natyrën tonë (Cfr Es 3,7-12).
Përgjigjja, që Hyji i dha, përmes Jezusit, britmës së njeriut, e tejkalon pambarimisht shpresën tonë,
duke arritur në një solidaritet të tillë, që nuk mund të jetë thjesht njerëzor, por hyjnor.
Vetëm Hyji, që është dashuri, e dashuria, që është Hyj, mund ta zgjidhte, për të na shpëtuar, këtë rrugë që, natyrisht, është më e gjata,
por edhe rruga që respekton të vërtetën e tij e tonën:
rruga e pajtimit, e dialogut, e bashkëpunimit.
Prandaj, vëllezër e motra të dashura të Romës e të mbarë botës,
në këtë Krishtlindje 2011, t’i drejtohemi Foshnjës së Betlehemit, Birit të Virgjërës Mari e t’i themi:
“Eja, na shpëto!”
E përsërisim këtë thirrje në bashkim shpirtëror me shumë njerëz, që jetojnë në kushte tejet të vështira,
e duke u bërë zë i atyre, që nuk kanë zë.
Së bashku kërkojmë ndihmë hyjnore për popujt e Bririt të Afrikës,
që vuajnë nga uria e nga thatësira, të rënduara shpesh edhe nga pasiguria e vazhdueshme.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë, që të mos u mungojë ndihma refugjatëve të shumtë, të cilët vijnë nga kjo zonë, të lënduar thellë në dinjitetin e tyre.
Zoti i ngushëlloftë popullsitë e Jug-Lindjes aziatike,
porsaçërisht ata të Tailandës e të Filipineve, që kalojnë ende kohë të vështira për shkak të përmbytjeve.
Zoti e ndihmoftë njerëzimin e plagosur nga një mori konfliktesh, që vijojnë ta gjakosin Planetin.
Ai, që është Princi i Paqes, i sjelltë paqe e stabilitet Tokës, të cilën e zgjodhi për të ardhur në botë,
duke nxitur dialogun ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.
Bëftë që të pushojë dhuna në Siri, ku tepër gjak është derdhur.
Ndihmoftë për pajtimin edhe stabilitetin e plotë në Irak e në Afganistan.
I dhashtë hov të ri veprimtarisë për të mirën e përbashkët të të gjithë anëtarëve të shoqërisë në Vendet e Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme.
Lindja e Shëlbuesit e thelloftë dialogun e bashkëpunimin në Mianmar, për gjetjen e rrugëzgjidhjes së përshtatshme e të përbashkët.
Lindja e Shpërblyesit siguroftë stabilitetin politik në vendet e zonës afrikane të Liqeneve të Mëdha
dhe ndihmoftë impenjimin e banorëve të Sudanit të Jugut për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Të dashur vëllezër e motra, t’ia ngulim sytë Shpellës së Betlehemit:
Foshnja, që kundrojmë, është shpëtimi ynë!
Ai solli në botë mesazhin universal të pajtimit e të paqes.
T’ia hapim zemrat,
ta përbujmë në jetën tonë.
Të përsërisim me besim e shpresë: “Veni ad salvandum nos!”.