Tip:
Highlight text to annotate it
X
Translator: Besnik Bleta Reviewer: Jeta Rudi
Kur më kërkuan të marr pjesë, vendosa
që ai për të cilin doja vërtet të flisja
qe miku im Richard Feynman.
Jam një nga pak fatlumët
që arritën vërtet ta njohin
dhe të shijojnë praninë e tij.
Dhe do t'ju rrëfej për Richard Feynman-in që di unë.
Jam i sigurt se këtu ka njerëz të tjerë
që do të mund t'ju rrëfenin mbi Richard Feynman-in që dinë ata,
dhe do të dilte ndoshta një tjetër Richard Feynman.
Richard Feynman-i qe një njeri shumë i ndërlikuar.
Qe një njeri me shumë, shumë anë.
Qe, padyshim, mbi të gjitha
një shkencëtar shumë, shumë, shumë i madh.
Qe edhe aktor. E kam parë të aktrojë.
Pata edhe fatin e mirë të jem i pranishëm në ato leksionet,
sipër në lozhë.
Qenë fantastike.
Qe edhe filozof;
qe edhe baterist;
qe mësues i lindur.
Richard Feynman-i qe gjithashtu "showman",
"showman" i jashtëzakonshëm.
Qe i vrazhdë, shpërfillës --
qe plot maço,
një lloj maçoje ngadhnjimtari.
I pëlqenin betejat intelektuale.
Kish ego të stërmadhe.
Por ky burrë, në një farë mënyre,
të linte goxha vend.
Dhe me këtë nënkuptoj
goxha vend, në rastin tim --
S'flas dot për të tjerët --
por në rastin tim,
goxha vend për një tjetër ego të madhe.
Jo aq të madhe sa e tija,
por goxha të madhe.
Ndjehesha përherë mirë në shoqërinë e *** Feynman-it.
Qe gjithmonë zbavitëse kur ishe me të.
Gjithmonë më bënte të ndihesha i mençur.
Si mundej dikush si ai të të bënte të ndiheshe i mençur?
Ja që e bënte.
Më bënte të ndihesha i mençur. Më bënte të ndjeja që qe i mençur.
Më bënte të ndjehesha që qemë të mençur që të dy,
dhe që ne të dy mund të zgjidhnim çfarëdo problemi.
Dhe në fakt, ca herë u morëm bashkë me fizikë.
Bashkë nuk botuam ndonjëherë ndonjë artikull,
por për t'u zbavitur, jemi zbavitur.
I pëlqente të fitonte.
Në ato lojërat e vockla maço që do të luheshin hera-herës --
dhe nuk i luante vetëm me mua, i luante me lloj-lloj njerëzish --
dhe thuajse gjithmonë fitonte.
Por kur nuk fitonte, kur humbte,
prapë qeshte dhe dukej se zbavitej po njësoj
si të kish fituar.
Më kujtohet një herë që më tregoi një histori
mbi një shaka që i bënë studentët.
E morën -- më duket se qe ditëlindja e tij --
e morën për drekë.
E morën për drekë
në një qoshe sanduiçesh në Pasadena.
Mbase ekziston ende; nuk e di.
Ku specialitet qenë sanduiçet e të famshmëve.
Mund të porosisje sanduiçin Merlin Monro.
Mund të porosisje sanduiçin Hamfri Bogart.
Studentët shkuan atje më përpara,
dhe e bënë me fjalë që do të porosisnin të tërë sanduiçe Feynman.
Një nga një, mbërrinin dhe porosisnin sanduiçe Feynman.
Feynman-i vdiste për këtë histori.
Ai vetë ma tregoi, vërtet i kënaqur e duke qeshur.
Kur e mbaroi tregimin, i thashë,
"Dik, po vras mendjen se ç'dallim do të kish
mes një sanduiçi Feynman dhe një sanduiçi Susskind."
Dhe sa hap e mbyll sytë,
tha, "Do të ishin thuajse njësoj.
I vetmi dallim do të qe që një sanduiç Susskind do të kish shumë më tepër brumë,
brumë, në kuptimin e aktorit të keq.
(Të qeshura)
Ja që dhe unë qeshë goxha i shpejtë atë ditë,
dhe ia ktheva, "Ëhë, por shumë më pak krunde."
(Të qeshura)
E vërteta në fakt
është që sanduiçi Feynman
kish plot brumë,
por aspak krunde.
Ajo që Feynman-i urrente më shumë se gjithçka tjetër
qenë pozat intelektuale --
falsiteti,
sofistikimi i rremë, zhargoni.
Mbaj mend diku nga vitet '80,
mesi i viteve '80,
Diku, unë, dhe Sydney Coleman,
u takuam disa herë
në shtëpinë e një pasaniku të madh diku në San Francisko --
në San Francisko për darkë.
Dhe herën e fundit që pasaniku na ftoi,
pat ftuar gjithashtu edhe një dorë filozofësh.
Këta tipat qenë filozofë të mendjes.
Fusha e tyre qe filozofia e ndërgjegjes.
Dhe qenë dëng me lloj-lloj zhargonesh.
Po përpiqem të kujtoj termat --
"monizëm," "dualizëm," gjithandej kategorira.
Nuk e dija se ç'kuptohej me këto terma, as Diku --
dhe as Sydney, meqë ra fjala.
Dhe për çfarë u llafosëm?
Po për çfarë të llafosesh kur bisedohet rreth mendjes?
Për një gjë, gjëja e pritshme për t'u biseduar --
a mundet një makinë të shndërrohet në mendje?
A mund të krijoni një makinë
që mendon si një qenie njerëzore,
që të jetë e ndërgjegjshme?
U shtruam dhe biseduam rreth kësaj -- sigurisht pa ia gjetur kurrë anën.
Por belaja me filozofët
qe që ata filozofonin
në vend që të shkencëzofonin.
Tek e fundit, çështja është shkencore.
Dhe qe vërtet, vërtet me zarar ta bëje
këtë në prani të *** Feynman-it.
Feynman-i ua plasi ballit -- me të dy tytat, drejt e në lule të ballit.
Qe brutale, qe zbavitëse -- oh, sa zbavitëse.
Por qe vërtet brutale.
Ua shfryu me tërë mend tullumbacen.
Por e bukura qe se --
Feynman-it iu desh të largohej pak herët.
Nuk ndihej dhe aq mirë, ndaj u largua pak më herët.
Dhe unë e Sydney mbetëm atje me dy filozofët.
Dhe e bukura qe që këta tipat kapën qiellin.
Qenë kaq të kënaqur.
Patën takuar njeriun e madh;
qenë këshilluar nga njeriu i madh;
qenë dëfryer sa s'thuhet
kur ua zhyti turinjtë në baltë;
dhe kjo qe diçka e veçantë.
Kuptova që kish diçka thjesht të jashtëzakonshme te Feynman-i,
edhe kur bënte atë çka bëri.
Diku qe shoku im. Unë Dik e thërrisja.
Unë dhe Diku sikur kishim një lidhje.
Them se duhet të ketë qenë lidhje e veçantë ajo që patëm.
E pëlqenim njëri-tjetrin; na pëlqenin të njëjtat gjëra.
Edhe unë i pëlqeja lojërat intelektuale maço.
Ndonjëherë mund të fitoja, shumicën e herëve do të fitonte ai,
por na shijonin të dyve.
Dhe Dikut iu mbush mendja në një farë pike
që ai dhe unë kishim një lloj ngjashmërie personalitetesh.
Nuk mendoj se kish të drejtë këtu.
Mendoj që e vetmja pikë ngjashmërie mes nesh
qe që të dyve na pëlqente të flisnim për veten.
Por ja që i ish mbushur mendja.
Dhe qe kureshtar.
Ai njeri qe aq kureshtar sa s'e besoni dot.
Dhe donte të kuptonte ç'kish dhe pse kish
në këtë lidhje të çuditshme.
Dhe një ditë po ecnim. Qemë në Francë.
Qemë në La Zouche.
Sipër në male, më 1976.
Dhe atje lart në male, Feynman-i më thotë,
më thotë, "Leonardo."
Arsyeja pse më quajti Leonardo
qe pse gjendeshim në Europë
dhe ushtronte frëngjishten e vet.
Dhe më thotë, "Leonardo,
më afër ishe me tët ëmë apo me tët atë,
kur ishe fëmijë?"
Dhe i thashë, "Heroi im i vërtetë ish im atë.
Ai ish punëtor,
me pesë klasë shkollë.
Qe mjeshtër mekanik, dhe më mësoi si të përdor veglat.
Më mësoi lloj-lloj gjërash për gjërat mekanike.
Madje më mësoi edhe teoremën e Pitagorës.
Nuk e quante hipotenuzë,
e quante distancë e shkurtores."
Dhe Feynman-it iu ndezën sytë.
U ndez si të ish llambë ndriçimi.
Dhe tha se kish pasur
në thelb pikërisht të njëjtën marrëdhënie
me të atin.
Në fakt, i ish mbushur mendja në një farë kohe
që, për të qenë fizikan i mirë,
ish shumë e rëndësishme
të kishe këtë lloj marrëdhënie me babën.
Kërkoj ndjesë për trajtimin seksist këtu,
por kjo është ajo ç'ndodhi vërtet.
Tha se kish qenë absolutisht i bindur që kjo qe e nevojshme --
pjesa e domosdoshme e rritjes drejt një fizikani të ri.
Duke qenë Diku, ai, sigurisht, dëshironte ta kontrollonte këtë.
Desh të shkonte dhe të bënte një eksperiment.
E pra, e bëri.
Vajti dhe e bëri një eksperiment.
Pyeti krejt shokët e tij që i mbante për fizikanë të mirë,
"Jot ëmë apo yt atë ka pasur ndikim mbi ty?"
Dhe një burri -- të tërë burra qenë --
një burri, secili prej tyre
i tha, "Ime më."
(Të qeshura)
Dhe kështu humbi ajo teori në koshin e historisë.
Por ai qe shumë i ngazëllyer që më në fund pat gjetur dikë
që kish patur të njëjtën përvojë me të atin
si ajo që kish patur ai me të vetin.
Dhe për ca kohë, qe i bindur
që kjo ish arsyeja pse shkonim kaq mirë bashkë.
Nuk e di. Ndoshta. E kush e di?
Më lini t'ju tregoj pak
për Feynman-in si fizikan.
Stili i Feynman-it --
jo, stili nuk është fjala e duhur.
Stili jua shpie mendjen te papijoni që mund të ketë mbajtur
apo kostumi që vishte.
Ka diçka shumë më të thellë se kaq,
por nuk më vjen në mend tjetër fjalë për të.
Stili shkencor i Feynman-it
qe të kërkonte përherë për zgjidhjen më të thjeshtë,
më elementare të mundshme të një problemi.
Nëse nuk qe e mundur, do t'ju duhej të përdornit diç më të koklavitur.
Por padyshim pjesë e kësaj
qe gëzimi dhe kënaqësia e tij e madhe
kur u tregonte njerëzve se mund të mendonte më thjesht se ata.
Por thellë-thellë besonte, besonte vërtet,
se nëse diçka nuk e shpjegoni dot thjesht
ju vetë nuk e kishit kuptuar.
Në vitet '50, njerëzit po përpiqeshin të kuptonin
se si funksiononte heliumi superfluid.
Kish një teori.
Falë fizikës matematike të një rusi,
dhe qe një teori e koklavitur.
Do t'jua them pa humbur kohë se ç'qe ajo teori.
Qe një teori tmerrësisht e koklavitur
plot me integrale dhe formula shumë të vështira
plot matematikë e me radhë.
Dhe funksiononte ca, por nuk funksiononte shumë mirë.
I vetmi rast kur funksiononte
ish kur atomet e heliumit qenë shumë, shumë larg njëri-tjetrit.
Atomet e heliumit duhej të ishin shumë larg njëri-tjetrit.
Dhe për fat të keq, atomet e heliumit në heliumin e lëngët
janë njëri drejt e sipër tjetrit.
Feynman-i vendosi, si prej fizikani amator të heliumit,
që do të provonte ta gjente.
Pati një ide, një ide shumë të mençur.
Do të provonte të gjente se
si do të ishte funksioni i valës kuantike
për këtë numër të stërmadh atomesh.
Do të përpiqej ta vizualizonte atë,
i udhëhequr nga një numër i vogël parimesh të thjeshta.
Numri i vogël i parimeve të thjeshta qe shumë, shumë i thjeshtë.
I pari qe
që, kur atomet e heliumit prekin njëri-tjetrin, shtyhen.
Pasojë e kësaj do të ishte që funksioni valor i bie të shkojë drejt zeros,
i bie të zhduket, kur atomet e heliumit prekin njëri-tjetrin.
Fakti tjetër
është që për gjendjen bazë, gjendja me energjinë më të pakët e një sistemi kuantik,
funksioni valor është përherë shumë i butë --
ka numër minimum shmangiesh.
Kështu pra, u ul --
dhe e përfytyroj me asgjë tjetër veç
një copë letër dhe një laps --
dhe u rrek të shkruante, dhe shkrojti,
funksionin më të thjeshtë që mund t'ju vijë në mendje
që si kushte kufizuese pat
zhdukjen e funksionit valor kur gjërat preken
dhe që është i butë në mes
Shkrojti një gjë të thjeshtë.
Në fakt, qe kaq e thjeshtë saqë
them se një gjimnazist vërtet i mençur,
madje pa mësime analize matematike,
mund ta kuptonte ç'shkrojti.
Puna qe që ajo gjë e thjeshtë që shkroi
shpjegonte gjithçka të njohur deri në atë kohë për heliumin e lëngët
dhe diçka më tepër.
Gjithmonë kam pyetur veten nëse profesionistët,
fizikanët e vërtetë profesionistë të heliumit,
u turpëruan pakëz nga kjo.
Kishin teknikat e tyre super të fuqishme,
dhe nuk bënë dot gjë.
Meqë jemi, do t'ju tregoj se ç'qenë këto teknika super të fuqishme.
Qenë teknikat e diagrameve të Feynman-it.
(Të qeshura)
E përsëriti këtë më 1968-n.
Më 1968-n, në universitetin tim --
në atë kohë nuk qeshë atje -- por më 1968-n,
po eksplorohej struktura e protonit.
Dihet se protoni përbëhet
nga një dorë pjesëzash të vockla.
Kjo qe pak a shumë e njohur.
Dhe rruga për ta analizuar qe, sigurisht, diagramet e Feynman-it.
Për këtë punë qenë ndërtuar diagramet e Feynman-it --
për të kuptuar pjesëzat.
Eksperimentet që po bëheshin qenë shumë të thjeshta.
Thjesht merrni protonin,
dhe e godisni shumë fort me një elektron.
Për këtë punë qenë diagramet e Feynman-it.
I vetmi problem qe fakti
që diagramet e Feynman-it qenë të koklavitura.
Kish aty integrale të vështira.
Sikur t'i zgjidhnit krejt ato, do të kishit një teori shumë të përpiktë.
Por nuk i zgjidhnit dot; thjesht qenë shumë të ndërlikuara.
Disa po përpiqeshin t'i zgjidhnin.
Mund t'ia dilnit për një diagram me një lakore. Me një lakore nuk ka problem.
Një lakore, dy lakore -- ndoshta mund t'ia dilnit për një diagram me tri lakore,
por për më tej nuk bënit dot gjë.
Feynman-i tha, "Harrojeni krejt këtë.
Le ta mendojmë protonin
si një grumbull pjesëzash të vockla --
si një hoje pjesëzash të vockla."
I quajti partone. Partone i emërtoi.
Tha, "Thjesht mendojeni si një hoje partonesh
që lëvizin vërtet shpejt."
Ngaqë lëvizin vërtet shpejt,
relativiteti na thotë se lëvizjet e brendshme do të ngadalësohen mjaft.
Papritmas godet elektroni.
Si të bënit papritmas një foto të protonit.
Çfarë duket?
Do të dukej një dorë partonesh të palëvizshme.
Nuk lëvizin, dhe ngaqë nuk lëvizin
gjatë kohëzgjatjes së eksperimentit,
nuk keni pse shqetësoheni se si lëvizin.
Nuk keni pse shqetësoheni rreth forcave mes tyre.
Thjesht i mendoni
si një popullatë
partonesh të palëvizshme.
Ky qe çelësi i analizimit të këtyre eksperimenteve.
Tejet i efektshëm, bëri vërtet punë --
dikush ka thënë që fjala revolucion është fjalë e keqe.
Them se duhet të jetë, ndaj nuk po them revolucion --
por pa dyshim që e shtyu shumë, shumë, përpara
idenë tonë të protonit,
dhe të pjesëzave përtej tij.
Kisha dhe ca gjëra të tjera për t'ju treguar
lidhur me lidhjen time me Feynman-in,
se si ishte,
por shoh që më mbetet vetëm gjysmë minute.
Ndaj them ta mbyll thjesht
duke thënë se nuk mendoj që Feynman-it do t'i kish pëlqyer kjo veprimtari.
Mendoj se do të kish thënë,
"Nuk më duhet kjo."
Por si ta nderojmë Feynman-in?
Si ta nderojmë vërtet Feynman-in?
Them se përgjigja është që Feynman-it i bëjmë nder
duke hequr nga sanduiçet tona
sa më shumë krunde të mundemi.
Faleminderit.
(Duartrokitje)